blog-image

Aty ku mbretëron teknologjia, venitet përqendrimi

2019-11-21 16:21:18
@LOGOS

Lojërat e preferuare të fëmijëve sot gjenden në ekranin një kompjuteri apo tabletë. Vështirë t’i joshi terreni. E kanë më të lehtë të përdorin fushën virtuale. Aty edhe krenohen për rezultatet e arritura. Për ata që kanë kaluar një fëmijëri ndryshe, që kanë ndjerë aromën e barit, që janë lodhur duke vrapuar pas topit, apo që kanë shqetësuar nënat me baltën e tepërt në veshje, kjo kohë që po kalojnë fëmijët sot është një “fatkeqësi”. Megjithatë, e pashmangshme. E vetmja rrugë është përshtatja dhe kujdesi që duhet të kenë prindërit për të kontrolluar fëmijët e tyre në faqet në të cilat ata lundrojnë në internet. “Fëmijët janë duke humbur aftësinë për të bërë një bisedë, për shkak të përdorimit të teknologjisë’, thotë autori i serisë së librave për fëmijë “Wimpy Kid”. Jeff Kinney, i cili ka shkruar serinë e librave për fëmijë Diary of a Wimpy Kid, është i shqetësuar pasi fëmijët nuk arrijnë të “socializohen” Autori amerikan ka shitur më shumë se 150 milionë kopje të printuara të serisë së Wimpy Kid, dhe librat e tij janë përshtatur për filma. Kinney thotë se koha para ekranit është një problem i madh për shkrimtarët që duan të shesin librat në botën reale. Ai e përshkroi marrëdhënien e fëmijëve me teknologjinë si një “eksperiment i madh i kohërave tona”. “Nuk e di vërtet nëse dikush e ka përgjigjen e duhur, por ajo çka është e pamohueshme është se mënyra se si fëmijët tanë komunikojnë me njëri-tjetrin ka ndryshuar rrënjësisht dhe ndoshta përgjithmonë”, është shpreh ai për Association Press. “Ajo çfarë duam nga fëmijët tanë është që të socializohen plotësisht dhe të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe mendoj se kjo është një humbje e madhe”. “Nëse jam në makinë me fëmijët e mi, tani çdo njeri është në telefon… dhe është e çuditshme të drejtosh makinën kur çdokush është në telefon”. “Mendoj se kjo po humb dhe mendoj se të gjithë ne jemi fajtorë si prindër. Këtë e mendoj gjithmonë”. Kinney, librat e të cilit janë përkthyer në më shumë se 50 gjuhë në botë, shtoi se “koha gjatë së cilës fëmijët janë duke kaluar para ekranit të smartphone është problemi me të cilin po përballet çdo prind në ditët e sotme”. “Gjatë kohës që kam shkruar libra për fëmijë, marrëdhënia e fëmijëve me pajisjet elektronike ka ndryshuar në mënyrë thelbësore”, – tha ai. “Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të shkruash për fëmijërinë pa përmendur telefonat dhe mesazhet e shpejta”. Dr. Afërdita Dragaj është logopede. Përmes kësaj interviste ajo na flet më shumë për raportin që kanë fëmijët sot me teknologjinë, pasojat pozitive dhe negative që ka mbi ta dhe rolin që duhet të kenë prindërit në këtë fenomen. -Dr. Afërdita, cili është mendimi juaj sa i përket raportit fëmijë-teknologji, sot në këtë epokë? Sot, mënyra e jetesës i mundësoi teknologjisë moderne të jetë e pranishme në secilën sferë të jetës sonë, sidomos asaj sociale, me qëllim të zgjidhjes sa më të shpejtë dhe efikase të problemeve, duke iu lehtësuar kështu shfrytëzuesve të teknologjisë më shumë kohë, lehtësime dhe shtigje të reja ndërkomunikim. Por, në kohën e sotme, jeta pa teknologji moderne është bërë në fakt e pamundur, duke u bërë kështu pjesë e rëndësishme, megjithatë duhet theksuar që përdoret edhe në ato raste kur nuk është e nevojshme. Çudirat teknologjike, nuk i interesojnë vetëm të rriturve, por edhe fëmijëve madje që nga mosha më e hershme. -Sa të ekspozuar janë fëmijët ndaj teknologjisë dhe si ndikon në zhvillimin e fëmijës? Sigurisht që sot fëmijët janë shumë të ekspozuar ndaj teknologjisë moderne dhe, të flasim hapur, përdorimi telefonave, tabletave, kompjuterëve, në shumicën e rasteve iu është imponuar nga të rriturit, sidomos nga prindërit, në mënyra dhe për arsye të ndryshme. Të ngarkuar me strese, mënyra e jetesës, mungesa e kohës dhe preokupimeve të ndryshme që sjellë bota moderne, prindërit sikur nuk kanë kohë dhe durim të kalojnë kohë kualitative me fëmijët e tyre. Kështu që ta heqin “barrën” nga vetja, në dore pothuajse me zor iu vendosin telefonat e mençur, Ipad, tabletat, kompjuterët etj. Por edhe të rriturit janë në masë të madhe përdorues të tyre, në këtë mënyrë iu imponohet edhe fëmijëve, shohin çfarë bëjnë ata dhe si pasojë globale ndodhë zvogëlimi i bashkëveprimit dita-ditës, kështu komunikimi është i pamundur pa bashkëveprim. – Cilat janë disa nga pasojat që mund të ketë fëmija? Si çdo fenomen, edhe varësia apo përdorimi i tepërt i teknologjisë ka pasoja të shumta tek fëmijët, si në aspektin shëndetësor, emocional ashtu edhe social. Disa hulumtime tregojnë që përdorimi i teknologjisë mund të jetë i dobishëm, por edhe i dëmshëm për fëmijët. Teknologjia ndikon në krijimin e lidhjeve të ndryshme të informatave tek truri i fëmijës për dallim nga gjeneratat e mëparshme. Përveç ndikimit në marrjen e informatave, teknologjitë moderne më së shumti kanë ndikim në përqendrim tek fëmija. Parakushti për zhvillimin e të menduarit është përqendrimi. Pa përqendrim aspektet tjera të menduarit siç është perceptimi, memoria, komunikimi, të mësuarit, kreativiteti, zgjidhja e problemeve dhe marrja e vendimeve janë të zvogëluara apo nuk ndodhin fare. Aftësia e fëmijës që të mësohen të përqendrohen ka rëndësi tejet të madhe sepse përqendrimi dhe fokusi janë bazë e të gjitha aspekteve të zhvillimit të tij. E për këtë rol të rëndësishëm ka rrethi (aspekti social). Pavarësisht a kemi të bëjmë me foshnjë, e cila fokusohet tek nëna apo nxënësi i cili duhet të dëgjoj mësuesen, rrethi përcakton përqendrimin e fëmijës, i cili është në fazën e zhvillimit. Këtu qëndron thelbi i pasojës më të madhe që lë përdorimi i teknologjisë moderne, pamundësinë e përqendrimit. Tek gjenerata e më hershme, fëmijët shumicën e kohës e kanë kaluar duke lexuar libra aktivitet, i cili na mundëson përqendrim kualitativ dhe ky lloj i përqendrimit është “ndërprerë” me teknologjinë moderne. Gjë, e cila mundësoi perceptim vizuel (pamor) por në anën tjetër, rrethi virtual, fëmijëve u mundësoi botën ku shpërqendrimi në secilën anë sikur është bërë normë, kanë këto pasoja: mungesë përqendrimi, imagjinatë pothuajse të panevojshme, memoria dhe komunikimi i kufizuar dhe i minimalizuar. -Çfarë i këshilloni prindërit në këto raste? Kohëve të fundit në media është aktualizuar shumë ndikimi negativ i përdorimit të teknologjisë moderne, jo vetëm në kualitetin e jetesës, raporteve fëmijë-prind, prind-fëmijë, fëmijë –shokë, fëmijë-mësues, fëmijë-gjysh\e, por edhe tek zhvillimi i hershëm sidomos në zhvillimin e të folurit, si pasojë e kësaj çdo ditë rritet numri i atyre që vizitojnë ordinancën logopedike fëmijët e moshës 1-3 vjeç dhe jo vetëm ata. Nga shumica e tyre gjate marrjes se anamnezës kuptojmë se fëmija i është ekspozuar TV-së, teknologjisë moderne, filmave vizatimor për më tepër në gjuhën jo amtare, dhe një stimulim i hershëm i tillë mund të ketë ndikim negativ jo vetëm në zhvillimin e aftësive gjuhësore, por edhe në zhvillimin e përgjithshëm të tij. Komunikimi është bashkëveprim dhe jo prodhim i fjalëve në mënyrë mekanike. Kur komunikojmë, ne përdorim edhe ekspresion facial (shprehje të fytyrës), ndryshojmë ngjyrën e zërit varësisht nga emocioni dhe kemi informatë kthyese. Në momentin kur fëmija sidomos në fazën e zhvillimit të komunikimit, ka më shumë kontakt me “makinë” se sa me njeriun, këtu paraqiten shumë probleme, që lënë pasoja serioze, sidomos në zhvillimin e gjuhës. Tv. Smart phonat, Ipad-at përveç se ndikojnë keq në shëndetin e njeriut si qëndrimi i gishtërinjve në telefona stagnon zhvillimin e sinapsave në tru, gjithashtu edhe zhvillimin e komunikimit sepse, nuk ka informatë kthyese, nuk ka ngrohtësi dhe reagim të gjallë dhe viziv, kontakt sy me sy, ka vetëm ekolali dhe “prodhim” të fjalëve të cilat nuk kanë të bëjnë fare me situatën reale. Vetëm përsëritje, thjeshtë nuk ka ndërveprim, shpesh në gjuhë jo amtare, dhe prindërit thonë se fëmija i tyre flet anglisht, gjë që realisht nuk qëndron. Ndonjëherë ndodhe që me përmbajtje të tilla e zhvillon të folurit, dëgjojmë shpesh që fëmija mund të përsëris dialogje të heronjve të tyre nga bota virtuale, por jo në mënyrë dhe situatë adekuate. Për të folurit e tillë, duhet të theksoj se është jo funksional. Domethënë nuk e ka funksionin e komunikimit, por vetëm të prodhimit të fjalëve. Që do të thotë se fëmija di të përdorë telefonin, por nuk di të përgjigjet në pyetje elementare si psh, sa vjet ka. Ajo çfarë u këshillohet prindërve për mirëqenien e përgjithshme të fëmijës është, të jenë model i mirë dhe së pari ata vetë të minimizojnë përdorimin e teknologjisë, duke ndikuar te përmirësimi i përqendrimit dhe kualitetit të jetës së fëmijës së tyre. Në situata kur dëshironi që të qetësoheni dhe të krijoni hapësirë për veten, mos i drejtoni fëmijët përpara televizionit, por mundohuni që: Ti lexoni sa më shumë fëmijës (tregime, përralla) Krijoni kontakt me sy, i flisni sepse zëri juaj stimulon zhvillimin e trurit të fëmijës dhe krijon mundësinë e bashkëveprimit gjë që teknologjia nuk ia mundëson, pra nuk i mundëson bashkëbisedimin. Këndoni; Shëtisni bashkë, bëni ndonjë aktivitet në natyrë apo brenda në shtëpi, gjithmonë pa ndikimin e asnjë lloj teknologjie. Bashkëveproni, mundësoni vehtes dhe fëmijës sa me shume kontakte reale (përqafime, qeshje, loje) qe ti ikni kontakteve te ftohta te makinave te ndryshme. Investoni herët ne marrëdhënie kualitative qe te evitohet vuajta e tjetërsimit mes njerëzve qe po ndodhe dita ditës. Dhe në fund fare, duhet të cekë se e gjitha kjo nuk do të thotë se fëmijës duhet t’i ndalohet shikimi i televizorit sepse përveç të gjithave, në televizione ofrohen programe edukative-arsimore në gjuhën amtare, por nëse teprohet, sigurisht që do të ketë pasojat e veta.

Autor: Aferdita Dragaj - Logopede



Radio